sudani, xinhua

sudani, xinhua

I dërguari i lartë i OKB-së për Sudanin paralajmëroi se vendi rrezikon të hyjë në një kolaps ekonomik dhe të sigurisë, bën të ditur “Xinhua”.

“Aspiratat e popullit sudanez për një të ardhme të begatë, demokratike të udhëhequr nga civilët janë në rrezik. Nëse nuk korrigjohet trajektorja aktuale, vendi do të shkojë drejt një kolapsi ekonomik dhe të sigurisë, si dhe vuajtje të konsiderueshme humanitare”, -tha Volker Perthes, përfaqësuesi special i OKB-së dhe kreu i Misionit të Ndihmës së Tranzicionit të Integruar të OKB-së në Sudan (UNITAMS).

Sipas tij, të gjithë aktorët sudanezë do të duhet të përgatiten për të bërë kompromise në interes të popullit, për stabilitet dhe prosperitet.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga marrja e pushtetit ushtarak në tetor 2021. Në mungesë të një marrëveshjeje politike për t'u kthyer në një rrugë të pranuar tranzitore, situata ekonomike, humanitare dhe e sigurisë po përkeqësohet, tha ai.

“Koha nuk është në anën e Sudanit dhe unë po flas me një ndjenjë urgjence, e cila gjithashtu ndihet gjithnjë e më shumë nga palët e interesuara në Sudan, të shqetësuar për stabilitetin dhe vetë ekzistencën e vendit të tyre”, -tha Perthes. (Irma)