doza 4 covid, greqi, kathimerini

doza 4 covid, greqi, kathimerini

Marrja e dozës së katërt të vaksinës anti-Covid zvogëlon rrezikun e vdekjes me 78 për qind krahasuar me marrjen e vetëm një përforcuesi, bëhet e ditur në një studim izraelit, që ka analizuar të dhënat mes personave të moshës 60 vjeç e lart, bënë të ditur Shërbimet Shëndetësore të vendit Clalit, raporton “Xinhua”.

Studimi u krye nga Clalit dhe Universiteti Ben-Gurion për një periudhë 40-ditore duke filluar nga 10 janari dhe gjetjet u publikuan javën e kaluar në platformën “Research Square”.

Studimi përfshiu 563.465 anëtarë të Clalit, të cilët u konsideruan të përshtatshëm për një përforcues të dytë dhe plotësuan kriteret e kërkimit.

Sipas studimit, 328.597 pjesëmarrës morën një përforcues të dytë gjatë periudhës, me 92 të vdekur nga Covid-19, ndërsa 232 pjesëmarrës që morën një përforcues vdiqën nga sëmundja.

“Rezultatet e studimit tonë mund të ofrojnë prova parësore në lidhje me potencialin shpëtimtar të një doze shtesë përforcuese, e cila mund të ndihmojë vendimmarrësit në vlerësimin e përfitimit të ofrimit të përforcuesit të dytë për popullatat e synuara”, -thanë studiuesit.

Në janar, Izraeli miratoi një dozë të katërt (përforcues të dytë) të vaksinës “Pfizer” anti-Covid për të mbrojtur personat në rrezik të lartë. (Irma)