Shkeljet serioze të të drejtave të indigjenëve nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia kanë ekzistuar jo vetëm në të kaluarën, por mbeten ende një problem i racizmit kronik dhe sistematik që vazhdon deri më sot, tha të premten një diplomat i lartë kinez.

Në fjalimin e mbajtur një videotakim të organizuar bashkërisht nga misionet e Venezuelës dhe Kinës në Gjenevë gjatë sesionit të 49-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, ministri Jiang Duan i Misionit Kinez u bëri thirrje vendeve të zhdukin rrënjësisht trashëgimitë e dëmshme të kolonializmit, të racizmit sistematik dhe diskriminimit, për të siguruar barazinë dhe të drejtat e indigjenëve.

"Popullsia e indianëve (të Amerikës) u pakësua nga 5 milionë në fund të shekullit të 15-të në 237 mijë në fillim të shekullit të 20-të, kur shumë fise u zhdukën plotësisht," vuri në dukje ai.

Përfaqësuesi kinez vuri në dukje më tej se qysh nga fillimi i vitit të kaluar, një numër i madh varresh pa emër dhe eshtra të fëmijëve indigjenë janë zbuluar në Kanada, gjë që është tronditëse dhe pikëlluese, por e vërteta lidhur me to nuk është gjendur ende edhe sot.

Australia, tha ai, ka një histori famkeqe në synimin e "Politikës së Australisë së Bardhë", mbi bazën e së cilës 100 mijë fëmijë indigjenë u detyruan të largoheshin nga familjet e tyre, gjë që i shkaktoi dëme të përjetshme dhe trauma të ashtuquajturit "brez i vjedhur".

"Sot banorët indigjenë janë ende subjekte të diskriminimit e pabarazisë sistematike dhe të përhapur gjerësisht në këto vende, dhe janë lënë mënjanë e gjenden në fundin e shoqërisë, nga ana politike, ekonomike dhe kulturore. Pandemia e COVID-19 e ka përkeqësuar më tej gjendjen e tyre të pafavorshme," shtoi diplomati kinez.

Ai u bëri thirrje ShBA-së, Kanadasë dhe Australisë të reflektojnë seriozisht për gabimet e tyre, të rishikojnë menjëherë ligjet dhe të ndryshojnë politikat që shkelin të drejtat e indigjenëve, të hetojnë krimet dhe të dënojnë fajtorët. (Wang Lei/ Artan)