Nën udhëheqjen e presidentit Vladimir Putin, forcat e parandalimit strategjik të Rusisë kryen stërvitje në shkallë të gjerë të shtunën, ndërsa kriza ukrainase është ndezur, shkruan “Xinhua”.

Putin e pa stërvitjen nga qendra e situatës në Kremlin së bashku me presidentin bjellorus Alexander Lukashenko, njoftoi Kremlini në një deklaratë, ku u theksua se në stërvitje u përfshinë Forcat e Hapësirës Ajrore të Rusisë, Qarku Ushtarak Jugor, Forcat Raketore Strategjike, Flota e Detit Verior dhe të Zi.

Forcat Hapësinore Ajrore lëshuan raketa hipersonike Kinzhal, ndërsa anijet dhe nëndetëset e Flotës Veriore dhe të Detit të Zi hodhën raketa lundrimi Kalibr dhe raketa hipersonike Tsirkon kundër objektivave detare dhe tokësore.

Një raketë lundrimi me bazë tokësore Iskander u lëshua nga një terren trajnimi në rajonin Astrakhan në Rusinë jugore dhe një raketë balistike ndërkontinentale Yars u lëshua nga kozmodromi Plesetsk i Rusisë veriperëndimore kundër një objektivi në Gadishullin Kamchatka.

Bombarduesit strategjikë Tu-95MS lëshuan raketa lundrimi, ndërsa nëndetësja bërthamore strategjike Karelia e Flotës Veriore lëshoi një raketë balistike Sineva nga Deti Barents drejt Gadishullit Kamçatka.

Kremlini njoftoi se stërvitja e parandalimit strategjik ishte planifikuar më parë, gjatë së cilës u kontrollua gatishmëria luftarake e trupave dhe besueshmëria e armëve dhe shtoi se të gjitha detyrat u kryen plotësisht dhe të gjitha raketat goditën objektivat e përcaktuara.