kufizimet covid ne Gjermani, dw

kufizimet covid ne Gjermani, dw

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeminstrat e landeve kanë vendosur që deri me 20 mars të hiqen gradualisht masat kufizuese anti-Covid në Gjermani. Masat do të hiqen në tri faza, përcjell “Deutsche Welle”.

Kancelari Scholz deklaroi se Covid-19 dhe varianti i tij Omikron tashmë kanë arritur kulmin e tyre dhe se gjendja ka filluar ngadalë të përmirësohet.

Incidenca në Gjermani për 100.000 banorë brenda shtatë ditësh është për momentin mbi 1400. Por pesë ditët e fundit numri i të infektuarve dhe incidenca kanë rënë çdo ditë, e kjo është rënia e parë prej muajit dhjetor. Ndërsa gjendja në spitale është nën kontroll.

Në fazën e parë do të lejohet futja në dyqane e të gjthë qytetarëve vetëm me maska, pavarësisht nëse janë vaksinuar apo shëruar. Për personat e vaksinuar apo shëruar nuk do të ketë më kufizime për takimet me të tjerët, ndërsa të pavaksinuarit deri me datën 19 mars mund të takojnë vetëm dy persona të tjerë jashtë familjes së tyre.

Faza e dytë fillon më 4 mars kur do të ketë lehtësime për gastronominë dhe hotelet. Aty do të vlejë rregulli: të vaksinuar, të shëruar apo testuar.

Diskotekat dhe klubet do të hapen, por klientët duhet të jenë të vaksinuar apo shëruar nga virusi.

Më në fund, më 20 mars do të pezullohen të gjitha masat e rëndësisshme kufizuese shoqërore, ekonomike dhe sociale, si dhe do të hiqet edhe detyrimi i punës nga shtëpia. Më pas mbetet vetëm mbajtja e maskave në vende të caktuara, në mjetet e transportit apo në objekte të mbyllura. Kancelari Scholz tha se vaksinimi mbetet si synimi kryesor.