Kina dhe Franca ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme si bujqësia, prodhimi i gjelbër, financa dhe aviacioni. Konsensusi u arrit gjatë bisedës telefonike të mërkurën mes presidentit kinez Xi Jinping me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, përcjell “CGTN”.

Presidenti Xi tha se përpjekjet e përbashkëta dypalëshe kanë sjellë arritje të frytshme. Sipas kreut të shtetit, vitin e kaluar, tregtia dypalëshe midis Kinës dhe Francës tejkaloi 80 miliardë dollarë dhe importi i produkteve bujqësore nga Franca u rrit me 40 për qind nga viti në vit.

Duke vënë në dukje se Franca ka bërë shumë për të përmirësuar unitetin e Bashkimit Evropian dhe për të forcuar autonominë strategjike të BE-së që nga marrja e presidencës së radhës të BE-së, Xi tha se Kina është e gatshme të punojë me Francën për të siguruar suksesin e samitit Kinë-BE.

Macron tha se Franca shpreson të thellojë partneritetin e saj strategjik gjithëpërfshirës me Kinën, pasi situata aktuale ndërkombëtare është plot tensione dhe turbulenca. Ai tha se Franca është e kënaqur me arritjet e mëdha në vitet e fundit të bashkëpunimit me Kinën në fushat e teknologjisë, bujqësisë, aviacionit dhe energjisë bërthamore.

Macron tha se në kuadër të presidencës së radhës së BE-së, Franca do të bëjë çdo përpjekje për të çuar përpara axhendën pozitive midis Bllokut dhe Kinës.

Po ashtu, Macron theksoi se Franca gjithmonë ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë plotësisht suksesin e Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike Dimërore të Pekinit.