Qeveria e udhëhequr nga talebanët në Afganistan u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të rishqyrtojnë vendimin për asetet e ngrira të Bankës Qendrore të Afganistanit dhe të përmbahen nga veprime të tjera provokative.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për zhbllokuar 7 miliardë dollarët e fondeve afgane që mbahen në SHBA, duke thënë se ato mund të ndahen si kompensim për viktimat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit dhe si ndihmë humanitare për shtetin.

“Nëse Shtetet e Bashkuara nuk ndërrojnë pozicion dhe vazhdojnë veprimet provokative, Emiratet Islamike do të detyrohen të rishqyrtojnë politikat e veta ndaj këtij shteti”, kanë thënë talibanët përmes një deklarate. Ata po ashtu u kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara që të lirojnë fondet pa ndonjë kusht, bën të ditur “Radio Evropa e Lirë”.

Vendimi i Bidenit ka nxitur zemërim në mesin e afganëve dhe ish-presidenti, Hamid Karzai e ka konsideruar atë “mizori” kundër shtetasve afganë.

Mediat lokale kanë raportuar se qindra persona kanë protestuar të martën në Kabul duke dënuar vendimin e Bidenit.

Politikanët afganë dhe akademikët kanë kërkuar që fondet e ngrira të mos përdoren për kompensim të viktimave të 11 Shtatorit, sepse asnjë afgan nuk ka qenë i përfshirë në sulme dhe ato asete nuk duhet të përdoren për ndihma.

Besohet se Afganistani ka rreth 9 miliardë dollarë fonde të ngrira dhe 7 miliardë janë në Shtetet e Bashkuara.

Pjesa tjetër gjendet në Gjermani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Zvicër.