Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se vendi i tij nuk dëshiron luftë në Evropë, por se shqetësimet e tij të sigurisë duhet të trajtohen dhe të merren seriozisht.

Komentet e presidentit rus erdhën pasi ushtria njoftoi se disa trupa po tërhiqeshin nga kufiri afër Ukrainës, shenja e parë nga Moska zyrtare për një ulje të mundshme të tensioneve. Megjithatë, udhëheqësit perëndimorë thonë se ende nuk ka prova për tërheqjen, raporton “BBC”.

Presidenti rus foli në Moskë pas një takimi katërorësh me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, i cili është lideri i fundit perëndimor që viziton rajonin në përpjekje për të ulur tensionet.

Putin tha gjithashtu se NATO-ja nuk ka arritur deri tani të adresojë shqetësimet themelore të Rusisë për sigurinë. Ai po kërkon që çështja e anëtarësimit të Ukrainës në NATO të trajtohet tani.

Ndërkohë, kancelari Scholz tha se grumbullimi i trupave ishte i pakuptueshëm, por kishte ende një shans që zgjidhjet diplomatike të mund të lehtësonin tensionet.