OBSH Omicron Reuters

OBSH Omicron Reuters

Një valë e re infeksionesh nga varianti Omikron i koronavirusit po lëviz drejt Evropës Lindore, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke u kërkuar autoriteteve të përmirësojnë vaksinimin dhe masat e tjera.

Në një deklaratë për mediat, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha se gjatë dy javëve të fundit, rastet e Covid 19 janë më shumë se dyfishuar në Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjeorgji, Rusi dhe Ukrainë, bën të ditur “Reuters”.

Komentet vijnë në një kohë kur disa vende evropiane, përfshirë Republikën Çeke dhe Poloninë, kanë lënë të kuptohet për lehtësimin e kufizimeve muajin e ardhshëm nëse numri i infeksioneve ditore vazhdon të bjerë. OBSH, megjithatë, theksoi nevojën e vazhdueshme për masa të tilla si testimi i shpejtë dhe maskimi, duke thënë se mbi 165 milionë raste Covid 19 janë regjistruar deri tani në të gjithë rajonin evropian të OBSH-së, me 25.000 vdekje në javën e kaluar.

“Përballë valës së Omikronit dhe me Deltën që ende qarkullon gjerësisht në lindje, nuk është momenti për të hequr masat që ne e dimë se funksionojnë në reduktimin e përhapjes së Covid 19”, -tha Kluge, duke u bërë thirrje gjithashtu qeverive të shqyrtojnë arsyet lokale për normat e ulëta të vaksinimit.