Etiopia përuroi të dielën një ndërtesë historike 209.15 metra të lartë, e vendosur në zemër të kryeqytetit të saj, e cila strehon bankën tregtare më të madhe publike të vendit, njofton “Xinhua”.

Selia e re e Bankës Tregtare të Etiopisë (CBE) u ndërtua nga gjiganti kinez i ndërtimit, “China State Construction Engineering Corporation” (CSCEC).

Veprimtaria e inaugurimit përkoi me 80-vjetorin e CBE-së dhe u ndoq nga zyrtarë të lartë të qeverisë etiopiane, diplomatë kinezë në Etiopi dhe përfaqësues të CBE dhe CSCEC.

Duke e quajtur përurimin një moment historik, kryeministri etiopian Abiy Ahmed tha në këtë ngjarje: "Jam shumë i lumtur që jemi mbledhur sot këtu për të inauguruar këtë ndërtesë të bukur duke shënuar gjithashtu 80-vjetorin e kësaj banke historike".

Ahmed tha se CBE pasqyron përkushtimin shumëvjeçar të Etiopisë dhe aspiratën për krijimin dhe mbështetjen e institucioneve moderne, duke theksuar nevojën për të modernizuar sektorin bankar në vendin e Afrikës Lindore.