Kryeministri pakistanez Imran Khan deklaroi se vizita e tij e fundit në Kinë ishte me rëndësi të madhe, pasi forcon më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe hap dritare të reja për investime, njofton “Xinhua”.

"Vizita ishte e një rëndësie të madhe. Palët diskutuan disa çështje thelbësore që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe dhe investimet", -tha Khan gjatë takimit me ish-diplomatë të Pakistanit, përfaqësues të grupeve të mendimit dhe njerëz të medias në Islamabad, për t'i informuar mbi rezultatet e vizitës së tij në Kinë nga 3-6 shkurt.

Gjatë vizitës, kryeministri mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Pekin 2022 dhe zhvilloi takime me lidershipin kinez.

Lidhur me perspektivën e bashkëpunimit dypalësh në investime, kryeministri tha se qeveria e tij ka punuar për të nxitur lidhjet mes sektorëve privatë të dy vendeve me qëllim rritjen e investimeve në Pakistan dhe krijimin e mundësive për punësim.

Duke lavdëruar sistemin e qeverisjes së Kinës, kryeministri pakistanez tha se Kina ka praktikuar demokracinë në kuptimin e saj real dhe ka siguruar sundimin e ligjit dhe barazinë, duke përfituar shumë popullin e saj.

Ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mahmood Qureshi, tha se vizita i ka dhënë një shtysë të re ndërtimit të Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan.

Ministri i Financave Shaukat Tarin tha se Kina ka ndihmuar Pakistanin në ndërtimin e infrastrukturës, e cila po mbështet ekonominë e vendit. Ai premtoi përpjekje për të lehtësuar investitorët kinezë që të bëjnë biznesin e tyre në Pakistan.