orban, atsh

orban, atsh

Për herë të parë, kryeministri hungarez, Viktor Orban, la të kuptohej për mundësinë e largimit të vendit të tij nga BE-ja, shkruan “ATSH”.

“Bashkimi Evropian po zhvillon një luftë të shenjtë nën sloganin e shtetit të së drejtës”, -tha politikani nacionalist i krahut të djathtë në një fjalim para mbështetësve në Budapest.

“Ne kërkojmë tolerancë nga BE-ja, përndryshe nuk do të mund të vazhdohet në një rrugë të përbashkët”, deklaroi ai.

Orban foli disa ditë përpara se Gjykata Evropiane e Drejtësisë të vendosë mbi mekanizmin e ri të sundimit të shtetit të së drejtës.

Sipas skemës, vendet që shkelin parimet e sundimit të së drejtës mund të kenë fonde të shkurtuara nga buxheti i përbashkët i BE-së.

Hungaria dhe Polonia kanë paraqitur një ankesë kundër mekanizmit, i cili u miratua në dhjetor 2020.

“Për ta, shteti i së drejtës është një mjet me të cilin ata duan të na brumosin në diçka që u ngjan atyre. Por, Hungaria nuk do të bëhet si Evropa Perëndimore, ashtu siç nuk do të priste që Perëndimi të miratonte politikat hungareze të azilit apo familjes”, -tha Orban, i cili shtoi se nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm tolerancë, si e vetmja zgjidhje për një rrugë të përbashkët.