Talebanët dhe familjet e viktimave të 11 Shtatorit kanë reaguar ndaj vendimit të administratës Biden për të shpërndarë një fond të ngrirë të Bankës Qendrore të Afganistanit prej 7 miliardë dollarësh.

Të premten, presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv, që mundëson që gjysma e 7 miliardë dollarëve nga Banka Qendrore e Afganistanit të lihen mënjanë në funksion të ndihmës humanitare për Afganistanin.

Pjesa tjetër, 3.5 miliardë dollarë do të vazhdojnë të mbahen ndërsa gjykatat amerikane shqyrtojnë kërkesat për kompensim financiar të familjeve të viktimave të 11 Shtatorit.

Talebanët, që kishin kontrollin e Afganistanit në kohën e sulmeve të vitit 2001, refuzuan të dorëzonin Osama bin Ladenin, organizatorin e sulmeve.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane deklaroi për “Zërin e Amerikës” se gjykatat amerikane, ku viktimat e 11 Shtatorit kanë paraqitur padi kundër talebanëve, do të duhet të marrin vendime për kompensimin e tyre.

Talebanët gjithashtu e kritikuan këtë vendim. Zëdhënësi i talebanëve shkroi në “Twitter” se kjo është një vjedhje e parave të popullit afgan.