Më shumë se 30.000 njerëz kanë nënshkruar një peticion duke i kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden të mbyllë kampin e burgimit në Gjirin e Guantanamos, i krijuar në vitin 2002 gjatë administratës së ish-presidentit George W. Bush, njofton “China Daily”.

Peticioni, duke e quajtur Guantanamon një katastrofë të të drejtave të njeriut, filloi nga Unioni Amerikan për Liritë Civile.

"Për 20 vjet, burgu ushtarak amerikan në Gjirin e Guantanamos ka qenë një njollë për SHBA-në. Sot, 39 burra myslimanë mbeten të burgosur për një kohë të pacaktuar atje me një kosto astronomike prej 540 milionë dollarë në vit", -thuhet në peticion.

Burgu, i cili ndodhet brenda bazës detare të Gjirit të Guantanamos në bregun më jugor të Kubës, u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit në SHBA. Ai është përdorur për të mbajtur pafundësisht të dyshuar për terrorizëm, disa prej të cilëve presin gjykimin. Qeveria kubane ka bërë të ditur se baza është e paligjshme.