Presidenti Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve në Ukrainë që të largohen menjëherë nga vendi, duke paralajmëruar se gjërat mund të dalin shpejt jashtë kontrollit, raporton “CNN”.

Duke iu referuar Rusisë, e cila ka grumbulluar qindra mijëra trupa në kufirin e saj me Ukrainën, Biden tha: "Nuk është se kemi të bëjmë me një organizatë terroriste. Kemi të bëjmë me një nga ushtritë më të mëdha në botë. Është një situatë shumë e ndryshme dhe gjërat mund të dalin shpejt jashtë kontrollit”. Biden tha se nuk ka një situatë që mund ta shtyjë atë të dërgojë trupa amerikane për të shpëtuar amerikanët që përpiqen të dalin nga Ukraina. “Do të ishte një luftë botërore në rast se amerikanët dhe rusët do të fillojnë të qëllojnë kundër njëri-tjetrit. Nëse presidenti rus Vladimir Putin është mjaft budalla sa të ndërhyjë, ai është mjaft i zgjuar që mos të bëjë asgjë që do të ndikonte negativisht te qytetarët amerikanë”, shtoi Biden.

Shtëpia e Bardhë ka miratuar një plan për afro 2000 trupa amerikane në Poloni për të ndihmuar amerikanët që largohen nga Ukraina nëse Rusia pushton, sipas dy zyrtarëve amerikanë të njohur me këtë çështje.