Foto: Visual People

Foto: Visual People

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov akuzoi Perëndimin se po rrit presionin politik ndaj Rusisë duke furnizuar me armë dhe municione për të mbështetur Ukrainën.

Rusia ka grumbulluar trupa pranë Ukrainës dhe është vendosur të organizojë stërvitje ushtarake në aleatin e ngushtë Bjellorusinë në veri të Ukrainës, duke nxitur frikën se ajo mund nisë pushtimin. Rusia mohon çdo plan për të sulmuar Ukrainën.

Vende si Shtetet e Bashkuara dhe Britania i kanë dhënë Ukrainës ndihma ushtarake, duke përfshirë dhe raketa antitank, për ta ndihmuar atë të mbrohet. Të tjerë, si Gjermania, kanë dërguar helmeta, duke iu shmangur ndihmës në armë.

Ryabkov tha se furnizimet ushtarake në Ukrainë përbënin shantazh dhe presion perëndimor. “Gjithçka që ndodh në drejtim të furnizmit të Ukrainës me pajisje, municione, pajisje ushtarake, përfshirë armë vdekjeprurëse, është një përpjekje për të ushtruar presion politik shtesë mbi ne, si dhe ndoshta presion teknik ushtarak”, -citohet të ketë thënë Ryabkov nga agjencia e lajmeve “RIA”, raportuar nga “Reuters”.

Dëshira e Ukrainës për t'u afruar politikisht me Perëndimin shihet gjerësisht jashtë vendit si një nga shqetësimet kryesore të Rusisë, pasi ajo kërkon garanci sigurie nga Perëndimi që do të vendosnin veton ndaj pranimit të Ukrainës në NATO dhe do të ndalonin zgjerimin e aleancës ushtarake.

Ryabkov vuri në dukje një raport të pakonfirmuar të medias ruse se Ukraina kishte kërkuar sistemet e mbrojtjes raketore THAAD nga Shtetet e Bashkuara, duke e quajtur atë një "provokim".