Foto:Visual People

Foto:Visual People

“Duhet të ruajmë paqen dhe të shmangim luftën në Evropë”, -deklaruan në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai polak Andrzej Duda.

Takimi në formatin e Trekëndëshit të Weimar-it u konsiderua historik dhe i veçantë, pasi një format i tillë në nivel krerësh shtetesh nuk mbahej prej 11 vjetësh, citojnë mediet evropiane.

Sipas tyre, çdo agresion i mëtejshëm ushtarak nga Rusia kundër Ukrainës do të ketë pasoja të mëdha dhe kosto serioze. Tre liderët i bënë thirrje Kremlinit që të përfshihet në një dialog kuptimplotë mbi sigurinë evropiane.

Duda dhe Macron udhëtuan në Berlin për të zhvilluar bisedime me Scholz mbi krizën, e cila ka parë Rusinë duke grumbulluar pajisje ushtarake dhe mbi 100.000 trupa pranë kufirit ukrainas në javët e fundit.

Në një prononcim përpara bisedimeve, Scholz ritheksoi se do të kishte pasoja për Rusinë nëse do të pushtonte Ukrainën.

Duda, vendi i të cilit kufizohet me Ukrainën dhe Bjellorusinë, theksoi se kontinenti po përballet me sfidën e tij më të vështirë që nga ngjarjet e vitit 1989.