Foto: VCG

Foto: VCG

Dhjetë milionë vende pune në industritë kreative në mbarë botën u humbën në vitin 2020 si rezultat i pandemisë Covid-19 dhe digjitalizimi në rritje i prodhimit kulturor do të thotë se është më e vështirë se kurrë për artistët të sigurojnë jetesën, thuhet në një raport të UNESCO-s, përcjellë nga “The Guardian”.

“Covid ka çuar në një krizë të paprecedentë në sektorin kulturor”, -tha Audrey Azoulay, drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, në një parathënie të raportit. “Në gjithë botën, muzetë, kinematë, teatrot dhe sallat e koncerteve kanë mbyllur dyert e tyre. Ajo që ishte tashmë një situatë e pasigurt për shumë artistë është bërë e paqëndrueshme, duke kërcënuar diversitetin krijues”, -theksoi Azoulay.

Megjithëse sektori kulturor dhe krijues është një nga sektorët ekonomikë me rritje më të shpejtë në botë, ai është gjithashtu një nga më të cenuarit dhe shpesh anashkalohet nga investimet publike dhe private, thuhet në raportin 328 faqesh, “Riformësimi i Politikave për Kreativitetin”.