Rusia ka grumbulluar të paktën 70 për qind të fuqisë ushtarake që ka të ngjarë të ketë në mesin e muajit për t'i dhënë presidentit Vladimir Putin mundësinë për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës, thonë zyrtarët amerikanë, njofton “Associated Press”.

Zyrtarët amerikanë, të cilët diskutuan vlerësimet e brendshme të ngritjes ruse me kusht që mos të identifikohen, përmendën një sërë treguesish që sugjerojnë se Putin synon një pushtim në javët e ardhshme, megjithëse përmasat dhe shkalla janë të paqarta. Ata theksuan se një zgjidhje diplomatike duket se mbetet e mundur.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë javët e fundit se një pushtim rus mund të ndodhë relativisht shpejt në Ukrainë, megjithëse Rusia mund ta ketë të vështirë të mbajë një pushtim dhe të përballet me një kryengritje të mundshme.

Të shtunën, “The New York Times” dhe “The Washington Post” shkruan se zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se një pushtim i plotë rus mund të çonte në kapjen e shpejtë të Kievit dhe potencialisht të rezultojë në rreth 50.000 viktima. Një zyrtar amerikan konfirmoi këtë vlerësim për “Associated Press”. Por nuk është e qartë se si agjencitë e SHBA-së i përcaktuan ato shifra dhe çdo parashikim se si do të vazhdonte një pushtim dhe koston njerëzore që do të shkaktonte janë në thelb të pasigurta, duke pasur parasysh çuditë e luftës.