Foto: Visual People

Foto: Visual People

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh i shqetësuar për viktimat civile në një sulm të SHBA-së, që çoi në vrasjen e udhëheqësit të Shtetit Islamik, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi.

I pyetur për komentin e shefit të OKB-së mbi operacionin e SHBA-së në Siri kundër al-Qurayshi, Farhan Haq, zëvendës-zëdhënësi i Guterres, tha: "Ne kemi marrë parasysh njoftimin e presidentit të SHBA-së për vdekjen e Abu Ibrahim al-Qurayshi. Dhe po vërejmë me shqetësim raportet për viktima civile", citon “Xinhua”.

"Ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile në përputhje me detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar", -tha Haq, duke shtuar se në rastin e përpjekjes për të përcaktuar përgjegjësinë për viktimat nga sulmi, është e rëndësishme që të ketë një hetim.

Al-Qurayshi thuhet se shpërtheu një bombë, duke vrarë veten dhe anëtarët e familjes së tij gjatë bastisjes nga forcat e operacioneve speciale të SHBA-së në qytetin Atmeh në provincën veriperëndimore të Idlibit të Sirisë.

Trembëdhjetë persona thuhet se u vranë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe katër gra.