masat covid GJermani, dw

masat covid GJermani, dw

Rreth dy javë para takimit qeveritar dhe landeve federale për situatën e pandemisë, po shtohen thirrjet për lehtësimin e kufizimeve. Ministri Federal i Drejtësisë, Marco Buschmann ka ngjallur shpresat për heqjen e shumë kufizimeve për muajin mars. "Shpresoj që shumë masa mbrojtëse të hiqen në mars”, -tha Buschmann për median vendase, cituar nga “Deutsche Welle”. Por, sipas tij, kjo do të ndodhë nëse, siç parashikon Instituti Robert Koch, numri i rasteve të ulet sërish nga mesi i shkurtit dhe mos të shfaqen as variante të reja të virusit.

I pyetur se çfarë lehtësimesh mund të bëhen aktualisht, Buschmanni tha: "Ne duhet të pyesim veten, për shembull, nëse 2G është ende i justifikueshëm në shitje me pakicë".

Sipas tij, për shkak të vendimeve të gjykatave, ka lande federale me dhe pa këtë masë.

"Ne duhet të përfitojmë nga kjo situatë për të shqyrtuar seriozisht nëse ka një model të ndryshëm në incidencën e infektimeve dhe kushteve në spitale për të dyja grupet. Nëse evolucioni i infektimeve në vendet pa rregullore 2G nuk është më i keq se në vendet e tjera, kjo ngre dyshime për përshtatshmërinë dhe domosdoshmërinë e masës. Por nëse një masë nuk është e përshtatshme dhe e nevojshme, ajo duhet të hiqet", -tha Buschmann.