Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të bashkuar, ndërsa qeveria dhe liderë në mbarë botën po vazhdojnë përpjekjet për të shmangur një pushtim të mundshëm nga Rusia, e cila ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë përgjatë kufirit.

Duke folur në parlament, Zelensky deklaroi se askush nuk po vendos për fatin e Ukrainës pas shpinës së tyre, duke shtuar se ai shpreson se së shpejti do të vendoset data e takimit të ardhshëm të grupit të Formatit të Normandisë, që përfshin Ukrainën, Rusinë, Francën dhe Gjermaninë, për të diskutuar për zgjidhjen e tensioneve në rritje ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, raportojnë mediat vendase.

Zelensky tha gjithashtu se ai ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të 80 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare, të cilët sipas tij, kanë mbështetur Ukrainën në përplasjen e vazhdueshme me Rusinë.

Zelensky nënshkroi ndërkohë një dekret për të rritur numrin e forcave ushtarake të Ukrainës në 100 mijë trupa për tre vjet si dhe për të rritur pagat e ushtarëve.