Putin BBC

Putin BBC

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka akuzuar SHBA-në se po përpiqet ta tërheqë vendin e tij në një luftë në Ukrainë. Ai tha se qëllimi i Amerikës ishte të përdorte një konfrontim si pretekst për të vendosur më shumë sanksione ndaj Rusisë. Putin tha gjithashtu se SHBA-ja po injoronte shqetësimet e Rusisë në lidhje me zgjerimin evropian të NATO-s, bën të ditur “BBC.

Duke folur pas bisedimeve me kryeministrin hungarez Viktor Orban në Moskë, Putin tha: "Më duket se Shtetet e Bashkuara nuk janë aq të shqetësuara për sigurinë e Ukrainës, por detyra e tyre kryesore është të frenojnë zhvillimin e Rusisë. Mendoj se Ukraina është vetëm një mjet për ta arritur këtë qëllim".

SHBA dhe aleatët e saj akuzojnë Rusinë se planifikon të pushtojë Ukrainën, diçka që Rusia e ka mohuar vazhdimisht. Të martën, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shkroi në “Twitter” se SHBA-ja ishte e angazhuar për të parandaluar një konflikt që nuk është në interesin e askujt.

Ndërkohë, gazeta spanjolle “El Pais” ka publikuar ato që ajo thotë se janë dokumente konfidenciale që SHBA dhe NATO i dërguan Rusisë javën e kaluar, duke përfshirë ofertat e bisedimeve për reduktimin e armëve bërthamore dhe masat e ndërtimit të besimit në këmbim të uljes së tensioneve mbi Ukrainën.

Javët e fundit Rusia ka zhvendosur rreth 100.000 trupa në kufirin me Ukrainën.