Festimet shumëngjyrëshe të Vitit të Ri Kinez në vende të ndryshme kanë sjellë atmosferë festive në të gjithë globin, ndërsa njerëz nga kultura të ndryshme kanë shprehur urimet për Vitin e Tigrit, përcjell “Xinhua”.

Në Shtetet e Bashkuara, festimi i Vitit të Ri Kinez është bërë një traditë për shumë banorë dhe institucione, pasi kultura kineze, veçanërisht zodiaku unik kinez, i shton jetës elemente optimiste.

Monumentet e Nju Jorkut, si “Empire State Building”, u ndezën me të kuqe të dielën mbrëma për të festuar Vitin e Tigrit.

Në Spanjë, kryeqyteti Madrid po ashtu festoi Vitin e Ri Kinez me një sërë aktivitetesh që do të zgjasin deri më 28 shkurt.

Megjithëse pandemia ka bërë që shumë ngjarje të zhvillohen online, një shfaqje me fishekzjarre mbi liqen në parkun Pradolongo do të kryhet të shtunën. I vendosur në lagjen Usera të Madridit, parku, pranë një komuniteti të madh kinez, është dekoruar posaçërisht me të kuqe.

Në ditën e parë të Vitit të Tigrit, në “TV5 Monde” të Francës u transmetua një program special kushtuar Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit dhe Lojërave Olimpike të Parisit 2024.

Të realizuara nga rreth 100 artistë kinezë dhe të huaj, programet e koncertit 110-minutësh "Paqe, miqësi, dashuri" u regjistruan veçmas në Kinë dhe Francë.

Në një deklaratë të martën, qeveria venezueliane përcolli urimet e saj më të mira për Vitin e Ri Kinez për të rritur prosperitetin dhe pasurinë e përbashkët të popujve dhe pohoi gatishmërinë e saj për bashkëpunim më të thellë me Kinën.