Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka paralajmëruar se është shumë herët që vendet ose të shpallin fitore ndaj Covid-19 ose të heqin dorë nga përpjekjet për të ndaluar transmetimin, raporton “AFP”.

Duke folur për gazetarët, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se ky virus është i rrezikshëm dhe vazhdon të evoluojë.

Komentet e tij erdhën pasi Danimarka të martën u bë vendi i parë i BE-së që hoqi të gjitha kufizimet e saj të brendshme të Covid, pavarësisht numrit rekord të rasteve të variantit më të butë Omikron, me një numër vendesh të tjera që po mendojnë lëvizje të ngjashme.

“Jemi të shqetësuar që në disa vende ka zënë vend një mendim që për shkak të vaksinave dhe për shkak të transmetueshmërisë së lartë dhe ashpërsisë më të ulët të Omikron, parandalimi i transmetimit nuk është më i mundur dhe nuk është më i nevojshëm. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta, më shumë transmetim Covid-19 do të thotë më shumë vdekje”, -tha Tedros.

Shefi i agjencisë shëndetësore të OKB-së vuri në dukje se që kur Omikron u zbulua për herë të parë në Afrikën Jugore 10 javë më parë, rreth 90 milionë raste janë raportuar në OBSH. Ndërsa varianti i ri Covid dihet se është më i butë, ai theksoi se tani numri i viktimave po rritet ditët e fundit në shumicën e rajoneve të botës.