Danimarka u bë shteti i parë i Bashkimit Evropian që më 1 shkurt hoqi të gjitha kufizimet e vendosura kundër koronavirusit, pavarësisht numrit rekord të rasteve të shkarkuara nga varianti Omikron.

Vetëm disa kufizime do të jenë në fuqi në kufijtë shtetërorë për udhëtarët e pavaksinuar që vijnë nga shtetet që nuk janë në zonën Shengen, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Vendimi për të hequr kufizimet bëhet pavarësisht se Danimarka po raporton deri në 50.000 infektime ditore, shifra që përbëjnë pothuajse 1 për qind të popullsisë prej 5.8 milionë banorësh.

Mbi 60 për qind e danezëve janë të vaksinuar me dozën e tretë. Kjo shifër është më e lartë krahasuar me mesataren e BE-së e cila është më pak se 45 për qind.

Duke përfshirë edhe personat që së fundmi kanë qenë të infektuar me Covid-19, autoritetet daneze vlerësojnë se 80 për qind e popullatës është e mbrojtur kundër formave të rënda të sëmundjes.

Strategjia e autoriteteve daneze gëzon një mbështetje të gjerë brenda vendit. Sipas një sondazhi të publikuar më 31 janar nga e përditshmja “Politiken”, 64 për qind e danezëve të anketuar thanë se kanë besim në politikën e qeverisë lidhur me pandeminë.