Dhjetëra mijëra tonë mbetje mjekësore të krijuara nga pandemia e Covid-19 po kërcënojnë shëndetin e njerëzve dhe mjedisin, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Materialet, duke përfshirë shiringat e hedhura, kompletet e përdorura të testimit dhe shishet e vjetra të vaksinave, mund të ekspozojnë punonjësit e shëndetësisë ndaj djegieve, lëndimeve nga gjilpëra dhe mikrobeve, zbuloi raporti, dhe disa prej tyre mund të jenë ende infektive, citon “Reuters”.

Sipas vlerësimeve të OBSH-së, miliarda vaksina që nga fillimi i pandemisë kanë gjeneruar të paktën 144.000 tonë gjilpëra, shiringa dhe kontejnerë grumbullimi të përdorura për to.

Komunitetet pranë vendgrumbullimeve të menaxhuara keq mund të ndikohen gjithashtu nga ajri i kontaminuar nga djegia e mbetjeve dhe cilësia e ujit, sipas gjetjeve.