Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e thirrur nga SHBA, mbi tensionet Rusi-Ukrainë, është shoqëruar nga përplasje verbale mes të dërguarve rusë dhe atyre amerikanë.

Ambasadorja e SHBA-së Linda Thomas-Greenfield tha se mobilizimi i trupave ruse në kufi me Ukrainën ishte më i madhi që Evropa kishte parë në dekada, raporton “BBC”. Ndërsa homologu i saj rus akuzoi SHBA-në për nxitje të histerisë dhe ndërhyrje të papranueshme në punët e Rusisë.

SHBA dhe Britania e Madhe kanë premtuar sanksione të mëtejshme nëse Rusia pushton Ukrainën.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth Truss, tha se po përgatitet legjislacioni, i cili do të synojë një gamë më të gjerë individësh dhe biznesesh pranë Kremlinit.

Rusia ka vendosur rreth 100.000 trupa, tanke, artileri dhe raketa pranë kufijve të Ukrainës.

Thomas-Greenfield tha se SHBA beson në një zgjidhje diplomatike, por paralajmëroi se vendi i saj do të veprojë me vendosmëri nëse Rusia pushton Ukrainën, pasojat e së cilës, sipas saj, do të ishin të tmerrshme.