Rritja e tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës ka ekspozuar varësinë problematike të Gjermanisë nga gazi rus, duke ndezur një debat mbi çmimet e larta të energjisë, shkruan “Scan TV”.

Ndërsa Gjermania ndjek objektivin e saj për kalimin në burime më të pastra të energjisë gjatë dekadës së ardhshme, ekonomia më e madhe e Evropës ka llogaritur që gazi të mbushë përkohësisht boshllëkun, ndërkohë që ajo ndërton kapacitetin e saj të energjisë diellore dhe të erës për të zëvendësuar centralet bërthamore dhe ato me qymyr.

Por me Rusinë që tani siguron 55 për qind të importeve të gazit të Gjermanisë nga 40 për qind në vitin 2012, planet më të mira të Berlinit zyrtar mund të shkojnë keq nëse Rusia do të marshonte në Ukrainë.

Me gazin që përbën 26.7 për qind të konsumit total të energjisë në Gjermani dhe ngrohjen e një në çdo dy familje, qeveria ka pranuar se nëse do të vendoseshin sanksione ndaj Rusisë, ato do të godasin edhe ekonominë gjermane.

Më saktësisht, gazsjellësi i diskutueshëm Nord Stream 2, i cili ishte caktuar të dyfishonte furnizimet e gazit natyror të lirë nga Rusia në Gjermani, tani qëndron në balancë.