Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përjashtoi mundësinë e dërgimit të forcave të NATO-s në Ukrainë, qëndrim i cili u konfirmua edhe nga zyrtarët britanikë, njofton “Zëri i Amerikës”.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov deklaroi se Kremlini po i kërkon NATO-s dhe OSBE-së shpjegime se si synojnë t’i zbatojnë angazhimet e ndërmarra për sigurinë.

Stoltenberg tha se Aleanca nuk ka ndërmend të dislokojë forca në Ukrainë në rast të një ndërhyrjeje ruse. “Ukraina nuk është vend i NATO-s dhe garancia prej 100% se një sulm ndaj njërit prej aleatëve do të marrë një përgjigje nga e gjithë aleanca, vlen për vendet e NATO-s, dhe jo vendet partnere”.

Megjithatë, Stoltenberg tha se Aleanca e ndihmon Ukrainën me ngritjen e kapaciteteve, modernizimin e mbrojtjes së tyre, përfshirë edhe mbrojtjen kibernetike.