Shtetet e Bashkuara u përpoqën të dielën të rrisin trysninë ndaj Rusisë lidhur me Ukrainën, duke njoftuar se do ta shtrojnë këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndërsa ligjvënësit amerikanë thanë se janë pranë një marrëveshjeje për sanksione të ashpra, njofton “Zëri i Amerikës”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, deklaroi se Këshilli i Sigurimit do të bëjë presion ndaj Rusisë që t’u përgjigjet shqetësimeve për grumbullimin e trupave pranë Ukrainës dhe mundësisë së një ndërhyrjeje te vendi fqinj.

Ngritja nga Shtetet e Bashkuara e çështjes së grumbullimit të trupave ruse në forumin më të lartë të Kombeve të Bashkuara, u jep mundësi palëve të përballen në një skenë globale në betejën mes tyre për opinionin ndërkombëtar.

Grumbullimi i mbi 100.000 trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën ka nxitur paralajmërime gjithnjë e më të forta nga Perëndimi se Kremlini mund të jetë duke u përgatitur të ndërhyjë.

Rusia ka kërkuar që NATO-ja mos të lejojë asnjëherë Ukrainën të anëtarësohet në aleancë, të ndalë vendosjen e armatimeve të NATO-s pranë kufijve rusë dhe të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore.