[Foto:VCG]

[Foto:VCG]

Presidenti italian Sergio Mattarella u zgjodh për një mandat të dytë, njoftoi kryetari i Dhomës së Ulët Roberto Fico, pasi parlamenti u mblodh në një seancë të përbashkët dhe përfundoi raundin e tetë të votimit, njofton “Xinhua”.

Mattarella u rikonfirmua me një shumicë të gjerë, përkatësisht 759 vota pro nga gjithsej 983 ligjvënës dhe përfaqësues rajonalë që morën pjesë aktive në votim.

"Dëshiroj të falënderoj ligjvënësit dhe përfaqësuesit rajonalë për besimin që kanë dhënë tek unë", -tha Mattarella, në një deklaratë të transmetuar drejtpërdrejt nga pallati presidencial “Quirinale” menjëherë pas marrjes së njoftimit zyrtar për rizgjedhjen e tij.

“Ditët e vështira të këtyre zgjedhjeve, të ndodhura në emergjencën e rëndë shëndetësore, ekonomike dhe sociale që po kalojmë ende, kërkojnë ndjenjën e përgjegjësisë dhe respektimin e vendimeve të Kuvendit. Këto kushte kërkojnë që mos të shmangim detyrat, të cilat duhet të mbizotërojnë mbi mendimet e tjera dhe perspektivat e ndryshme personale”, -shtoi ai.

Kandidatura e Mattarella-s u shfaq dukshëm në fund të një jave të tensionuar në të cilën dy blloqet kryesore politike, qendra e majtë dhe qendra e djathtë, nuk arritën të binin dakord për një kandidaturë të përbashkët.

Si pasojë, shtatë raunde votimi u mbajtën që nga e hëna deri të shtunën vonë, të gjitha dhanë rezultate jo përfundimtare dhe ekspozuan thyerje të thella brenda të dy koalicioneve.

Rizgjedhja e një kreu shteti është e rrallë në Itali. Deri më tani, vetëm Giorgio Napolitano, paraardhësi i Mattarella-s, kishte shërbyer një mandat të dytë, dhe vetëm për më pak se dy vjet.