Britania e Madhe ka nisur heqjen e masave anti-Covid, përveç izolimit në rast infektimi. Njoftimi është dhënë nga Ministria e Shëndetësisë, ku specifikohet se i është dhënë fund masave të Planit B të vendosur në fillim të dhjetorit 2021, për të frenuar përhapjen e variantit Omicron, falë suksesit të madh të programit të vaksinimit, përcjell “The Guardian”.

Sipas vendimit, përdorimi i detyrueshëm i dokumenteve që tregojnë statusin e Covid-19, e njohur si pasaporta e vaksinimit, ka përfunduar. Por vendet si klubet e natës dhe teatrot do të mund të vazhdojnë me zbatimin vullnetarisht.

Gjithashtu është hequr edhe detyrimi për të mbajtur maskë, por u rekomandua vazhdimi i mbajtjes së maskave në turma me njerëz dhe vende të mbyllura.

Nga ana tjetër, izolimi në rast infektimi do të vazhdojë.

Ministri i Shëndetësisë, Sajid Javid, deklaroi se ndërsa po mësojmë të jetojmë me Covid-19, duhet të shohim qartë se ky virus nuk do të largohet. Ai gjithashtu bëri thirrje për vaksinim masiv për ata që ende s’kanë marrë asnjë dozë.