Foto:CBS

Foto:CBS

Sipas njoftimit të së martës të rrjetit amerikan CBS, mungesa e fuqisë punëtore gjatë pandemisë në ShBA ka çuar në rritjen e pagave për punonjësit e vijës së parë, si ata që punojnë në sektorin ushqimor dhe të shitjes me pakicë, me ritmin më të shpejtë në vite. Pagat e shumë punonjësve të restoranteve janë shtuar me 12% gjatë vitit të kaluar, me një rritje mbi 2 dollarë për orë.

Megjithatë, për shkak të rritjes së çmimeve, këto fitime në dukje të mëdha kthehen në një rritje prej vetëm disa "qindarkash" në orë nëse përfshihet inflacioni, sipas një analize të re nga Instituti “Brookings”.

Ndër më të goditurit janë ata që punojnë në shërbimet profesionale dhe të biznesit, si kontabilistët dhe arkitektët, pagat e të cilëve u shtuan me 5.7% në nëntor, krahasuar me një vit më parë. Por inflacioni e tejkaloi rritjen, duke u shtuar 6.8 % gjatë kësaj periudhe.

Në të vërtetë, pagat "reale" të punonjësve kanë pësuar ulje nëse merret parasysh inflacioni. Të ardhurat mesatare reale të tyre për orë kanë rënë me pothuajse 2% në nëntor krahasuar me një vit më parë, njoftoi të premten Departamenti i Punës.