Foto: The Washington Post

Foto: The Washington Post

Zyrtarët e lartë federalë të shëndetësisë në ShBA paralajmëruan në një konferencë shtypi të martën në mëngjes se varianti “Omicron” po përhapet me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara dhe mund të arrijë kulmin në një valë infeksionesh masive në janar, sipas modelimit të ri të analizuar nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Prevalenca e “Omicron”-it u rrit shtatë herë brenda një jave, sipas CDC-së, dhe me një ritëm të tillë, varianti shumë i ndryshuar i koronavirusit mund të rrisë trysninë mbi një sistem shëndetësor tashmë të tendosur, ndërsa varianti “Delta” vazhdon të përhapet.

Transmetueshmëria e “Omicron”-it në ShBA po shtohet. Nga 4 dhjetori deri më 11 dhjetor, rastet me këtë variant ka të ngjarë të rriten nga 0.4 për qind e infeksioneve të reja në ShBA në 2.9 për qind, sipas të dhënave të reja të CDC-së.

Konferenca e CDC-së të martën shtjelloi dy skenarë se si varianti “Omicron” mund të përhapet në mbarë vendin. Zyrtarët e lartë të shëndetësisë kanë frikë se një valë e re, e ndërthurur me rastet e variantit “Delta” dhe gripit në atë që u përshkrua si "një goditje e trefishtë", mund të mposhtë sistemin shëndetësor dhe të godasë rëndë veçanërisht zonat me shkallë të ulët vaksinimi.