Foto:VCG

Foto:VCG

Numri i pasagjerëve të linjave ajrore në Bashkimin Evropian është ulur me 73.3 për qind në vitin 2020, kur shpërtheu pandemia e koronavirusit, krahasuar me një vit më parë, transmeton “Anadolu Agency”.

Zyra Evropiane e Statistikave (Eurostat) ka publikuar të dhënat për udhëtimet ajrore në vitin 2020 në 27 vendet anëtare të BE-së.

Sipas të dhënave të fundit, industria e aviacionit në vendet e BE-së është prekur rëndë nga masat kufizuese dhe ndalimet e udhëtimit të vendosura vitin e kaluar për shkak të pandemisë.

Gjithashtu, në vendet e BE-së, numri i pasagjerëve ajrorë, i cili kaloi një miliard në vitin 2019, u reduktua në 277 milionë në vitin 2020 ose 73.3 për qind.

Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se 45 për qind e këtyre udhëtimeve janë bërë jashtë BE-së, 33 për qind ndërmjet vendeve të BE-së dhe 22 për qind brenda linjave të brendshme të vendeve anëtare të BE-së.

Rënia më e madhe e udhëtimeve ajrore me 83.3 për qind është shënuar në Slloveni, e ndjekur nga Sllovakia me 82.4 për qind dhe Kroacia me 81.9 për qind.

Rënia e udhëtimeve ishte 74.5 për qind në Gjermani, 69.9 për qind në Francë dhe 74.6 për qind në Spanjë.

Gjatë kësaj periudhe, më së shumti udhëtime ajror në vendet e BE-së u realizuan nga aeroporti “CDG” i Parisit me 22.2 milionë pasagjerë dhe aeroporti i Amsterdamit me 20.9 milionë, Frankfurtit me 18.7 milionë dhe Madridit me 15.5 milionë. (Elona)