Konferenca e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimaterike përfundoi pas një zgjatjeje njëditore, me negociatorët që ranë dakord për një pakt të ri global për të trajtuar ndryshimet klimaterike, njofton “Xinhua”.

Gati 200 vende pjesëmarrëse miratuan Paktin e Glasgout për Klimën në fund të sesionit të 26-të të Konferencës së Palëve (COP26) të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.

Njëfarë progresi inkurajues u arrit kur pati marrëveshje për nenin 6 të Paktit të Parisit, i cili lidhet me mekanizmat e tregut të karbonit, duke i hapur rrugën zbatimit efektiv të marrëveshjes së Parisit për të ulur emetimet përmes qasjeve të bazuara në treg.

Negociatorët ranë dakord gjithashtu për të hequr gradualisht qymyrin, burimin dominues të emetimeve të dyoksidit të karbonit në procesin e prodhimit të energjisë elektrike. Kjo është përmendja e parë e qartë e lëndëve djegëse fosile në një marrëveshje COP.

Gjatë COP26, më shumë se 100 vende kanë premtuar t'i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030.

Në ditët e fundit të konferencës, Kina dhe Shtetet e Bashkuara lëshuan një deklaratë të përbashkët për rritjen e veprimeve të ndryshimeve klimaterike në vitet 2020, e cila është mirëpritur gjerësisht dhe besohet se mund të nxisë veprimet kolektive globale. Të dy vendet ranë dakord të krijojnë një grup pune për rritjen e veprimit klimatik këtë dekadë për të promovuar bashkëpunimin për ndryshimet klimatike midis dy vendeve, si dhe proceset shumëpalëshe.

“Pakti i Glasgout për Klimën do të ndihmojë në fillimin e një udhëtimi të ri të përpjekjeve globale për të trajtuar ndryshimin e klimës”, -tha për “Xinhua” kreu i delegacionit kinez në COP26, Zhao Yingmin, i cili shtoi se marrëveshja e re globale, veçanërisht mbyllja e rregullores së Marrëveshjes së Parisit, ka një rëndësi të madhe për mbrojtjen e multilateralizmit dhe zbatimin e Marrëveshjes së Parisit.

Megjithatë, disa çështje kokëfortë, veçanërisht financimi i klimës, mbeten të pasigurta. Mbetet për t'u parë nëse vendet e zhvilluara, industrializimi i të cilave është përgjegjës për shumicën e ndikimeve të sotme të ndryshimeve klimaterike, do të ndjekin kornizën kohore të caktuar. (Fatosi)