Smart-Working, digitalic

Smart-Working, digitalic

Portugalia ka miratuar një ligj revolucionar sa i takon tregut të punës, duke u bërë kështu vendi i parë në Evropë që ka një legjislacion dhe rregulla që favorizojnë atë që njihet si “smart working”, raporton “Top Channel”.

Sipas ligjit, punëdhënësit nuk mund të kontaktojnë me punonjësit pas orarit të punës, ose t’i monitorojnë ata ndërsa punojnë nga shtëpia.

Një amendament më radikal, e ashtuquajtura “e drejta për t’u shkëputur”, megjithatë nuk ka kaluar. Bëhej fjalë për mbylljen dhe fikjen e çdo kontakti, apo pajisjeje që mund ta lidhnin një punonjës me punën.

Puna nga shtëpia, sipas ligjvënësve portugezë, ka rënduar shumë mbi supet e punëtorëve dhe tani kompanitë duhet të japin një kontribut financiar për t’i ndihmuar ata të paguajnë për abonimin në internet dhe faturat e energjisë elektrike, por jo për ujin.

Kompanitë do t’i rimbursojnë këto shpenzime sikur të ishin udhëtime, ose dreka pune. Po ashtu, portugezët kanë marrë të drejtën për të punuar nga shtëpia pa qenë nevoja të bien dakord me punëdhënësin derisa fëmijët e tyre të mbushin 8 vjeç. (Irma)