Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se vdekjet nga koronavirusi u rritën me 10% në Evropë gjatë javës së kaluar, duke e bërë atë rajonin e vetëm në botë ku rastet dhe vdekjet me Covid-19 janë në rritje të vazhdueshme, për të gjashtën javë radhazi.

Në raportin javor mbi pandeminë, OBSH njoftoi se kishte rreth 3.1 milionë raste të reja në rang global, rreth 1% rritje nga një javë më parë. Gati dy të tretat e infeksioneve të koronavirusit, 1.9 milionë ishin në Evropë, ku rastet u rritën me 7%, njoftoi agjencia e lajmeve “AP”.

Vendet me numrin më të lartë të rasteve të reja në mbarë botën ishin Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Turqia dhe Gjermania. Numri i vdekjeve javore nga Covid-19 ra me rreth 4% në mbarë botën, përveç Evropës.

Drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, deklaroi më herët se Evropa ishte përsëri epiqendra e pandemisë. Ai paralajmëroi se nëse nuk do të ndërmerreshin më shumë veprime për të ndaluar Covid-19, rajoni mund të shoh deri në 500 mijë vdekje të tjera deri në shkurt 2022. (Irma)