Foto nga VCG

Kina dhe Shtetet e Bashkuara nxorën të mërkurën një deklaratë të përbashkët mbi ndryshimet klimatike në konferencën e klimës të Kombeve të Bashkuara (OKB), të njohur si COP26, që u zhvillua në Gllasgou të Skocisë.

Në Deklaratën e Përbashkët Kinë-ShBA të Gllasgout për Forcimin e Veprimit Klimatik në vitet ‘20 të këtij shekuli, të dy palët thanë se vlerësojnë punën e bërë deri më tani dhe u zotuan të vazhdojnë të punojnë së bashku dhe me të gjitha palët e tjera për të forcuar zbatimin e Marrëveshjes së Parisit.

Ato ranë dakord të ndërmarrin veprime të zgjeruara për klimën për të trajtuar në mënyrë efektive krizën klimatike bazuar në parimin e përgjegjësive të përbashkëta, por të ndryshme dhe sipas aftësive, si dhe duke mbajtur parasysh kushtet e brendshme.

Sipas deklaratës, të dy vendet do të krijojnë një grup pune për të nxitur bashkëpunimin lidhur me ndryshimin e klimës mes dy vendeve dhe proceset shumëpalëshe.

Ato ripohuan se do të respektojnë marrëveshjen e Parisit për klimën, për ta mbajtur rritjen e temperaturës nën dy gradë.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara arritën gjithashtu konsensus mbi financimin e klimës dhe kontributet e përcaktuara në nivel kombëtar sipas Marrëveshjes së Parisit.

Ato do të ruajnë dialogun politik për energjinë e përtëritshme në përpjekje për të pakësuar prodhimin e energjisë nga qymyri.(Artan/Fani)