Kompania “Pfizer” i kërkoi Administratës së Ushqimit dhe Barnave në SHBA të autorizojë injeksione përforcuese të vaksinës së saj Covid-19 për të gjithë amerikanët e moshës 18 vjeç e lart, një lëvizje që do të rriste ndjeshëm numrin e njerëzve të kualifikuar për të marrë vaksinat shtesë.

Një dozë e tretë e vaksinës, e cila u zhvillua me partnerin gjerman “BioNTech”, tashmë është autorizuar nga FDA për të moshuarit dhe të rriturit në rrezik gjashtë muaj pasi ata kanë përfunduar serinë e tyre primare të vaksinave, bën të ditur “CNBC”.

Më shumë se 25 milionë amerikanë kanë marrë një dozë shtesë të një prej tri vaksinave të autorizuara, sipas të dhënave të përpiluara nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Pfizer” tha të martën se po i kërkon agjencisë të ndryshojë autorizimin e saj pasi të dhënat e bazuara në më shumë se 10.000 individë tregojnë se një dozë shtesë është e sigurt dhe efektive.

Dozat përforcuese kanë qenë një temë e diskutueshme për shkencëtarët, veçanërisht pasi shumë njerëz në SHBA dhe pjesë të tjera të botës nuk kanë marrë ende qoftë edhe një dozë të një vaksine. (Elona)