Polonia u përball me shumë përpjekje për të thyer kufirin me Bjellorusinë gjatë natës së të mërkurës dhe në zonë janë vendosur 15.000 trupa.

Të paktën 2000 emigrantë janë bllokuar në kufi, në qendër të një mosmarrëveshjeje ndërkombëtare në përshkallëzim, raporton “BBC”.

BE, NATO dhe SHBA akuzojnë Bjellorusinë për orkestrimin e krizës, ndërsa Polonia fajëson presidentin rus Putin.

Një ekip i “BBC”-së, së bashku me gazetarë të tjerë, janë ndaluar të mbërrijnë në vendngjarje për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të Polonisë në zonë.

Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes e Polonisë postoi një video në “Twitter”, duke pretenduar se një ushtar bjellorus kishte qëlluar për të frikësuar emigrantët e vendosur pranë gardhit me tela.

"Nuk ishte një natë e qetë. Në të vërtetë, kishte shumë përpjekje për të thyer kufirin polak", -tha ministri i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, për radion polake. Policia foli për dy incidente të veçanta që përfshinin grupe prej rreth 50 personash. Ndërkohë, roja kufitare njoftoi se kishte pasur dhjetëra përpjekje për të kaluar ilegalisht dhe se nëntë persona, të gjithë nga Lindja e Mesme, ishin ndaluar.

Temperaturat gjatë natës në kufi kanë rënë nën zero dhe disa nga njerëzit e bllokuar atje kanë paralajmëruar se po u mungon ushqimi dhe uji.

Punonjësit e ndihmës ankohen se gjendja e jashtëzakonshme në Poloni do të thotë se ata nuk mund të hyjnë në zonën e prekur. (Elona)