Një miliard njerëz do të preken nga nxehtësia ekstreme nëse kriza klimaterike rrit temperaturën globale me vetëm 2 gradë celsius, sipas hulumtimit të shkencëtarëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Nëse përpjekjet për t'i dhënë fund emergjencës klimaterike dështojnë dhe temperaturat rriten me 4 gradë celsius, gjysma e popullsisë së botës do të vuajë nga ky stres ekstrem i nxehtësisë, shkruan “The Guardian”.

Nxehtësia është ndikimi më i dukshëm i ngrohjes globale dhe nxehtësia ekstreme në qytetet anembanë botës është trefishuar në dekadat e fundit, sipas një studimi të fundit. Në verën e vitit 2020, më shumë se një e katërta e popullsisë së SHBA-së vuante nga efektet e nxehtësisë ekstreme, me simptoma duke përfshirë të përziera dhe ngërçe.

Të paktën 166.000 njerëz vdiqën për shkak të valëve të të nxehtit në të gjithë globin në dy dekadat deri në vitin 2017, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është paralajmëruar vazhdimisht nga këshilltarët e saj zyrtarë të klimës se vendi është i papërgatitur për rritjen e nxehtësisë, veçanërisht në vende të cenueshme si spitalet dhe shkollat. (Elona)