Një gjykatë ruse urdhëroi të hënën gjigantin e teknologjisë “Google” që të paguajë dy milionë rubla, rreth 28.000 dollarë, për, siç e përkufizoi, shkelje të rregullave të Rusisë për përmbajtjen e ndaluar, bën të ditur “Reuters”.

Në muajt e fundit, gjykatat ruse kanë urdhëruar kompaninë “Google” të paguajë gjoba prej qindra mijëra dollarësh për mosfshirjen e përmbajtjes së ndaluar në motorin e saj të kërkimeve.

Gjykatat kanë gjobitur edhe platformat sociale “Facebook”, “Twitter”, “WhatsApp”, “Telegram” dhe “TikTok” për akuza të ngjashme.

“Google” e konfirmoi gjobën, por nuk dha asnjë koment shtesë.

Zyrtarët rusë u kanë kërkuar vazhdimisht gjigantëve të teknologjisë që të fshijnë lidhjet dhe postimet që kanë të bëjnë me pornografinë, vetëvrasjen dhe përdorimin e drogës, por edhe informacionet që kanë të bëjnë me politikën e brendshme në Rusi. (Elona)