Programi Botëror i Ushqimit njoftoi se numri i njerëzve që ndodhen në prag të urisë në 43 vende është rritur në 45 milionë, nga 42 milionë që ishin në fillim të vitit.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara bën të ditur se 3 milionë njerëz në Afganistan po përballen me zinë e bukës, në një raport në faqen zyrtare të OKB-së.

“Dhjetëra miliona njerëz janë në buzë të humnerës. Kemi konflikte, ndryshime klimatike dhe Covid-19 që po e shtojnë numrin e të uriturve”, -citohet drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley.

Agjencia njoftoi se kostoja e parandalimit të urisë në nivel botëror tani është 7 miliardë dollarë, nga 6.6 miliardë dollarë sa ishte në fillim të vitit, por paralajmëroi se burimet tradicionale të financimit janë të mbingarkuara.

Familjet që përballen me pasiguri ushqimore po detyrohen të bëjnë zgjedhje shkatërruese, duke i martuar herët fëmijët, duke i hequr nga shkolla ose duke i ushqyer me karkaleca, gjethe ose kaktus.

Programi tha se ndërkohë raportet e mediave nga Afganistani tregojnë se familjet janë të detyruara të shesin fëmijët e tyre në një përpjekje të dëshpëruar për të mbijetuar.

Thatësirat e shumta në Afganistan po kombinohen me një rrënim ekonomik ndërsa rreth 12.4 milionë njerëz në Siri nuk e dinë se nga do të vijë vakti i tyre i ardhshëm, situata më e keqe gjatë konfliktit dhjetëvjeçar.

Rritje e shkallës së urisë, sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara me seli në Romë, po shihet gjithashtu në Etiopi, Haiti, Somali, Angolë, Kenia dhe Burundi. (Elona)