Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi si të papranueshëm atë që e quan instrumentalizim të emigrantëve për qëllime politike nga Bjellorusia.

Në një deklaratë me shkrim, ajo i bën thirrje Bjellorusisë të ndalojë së rrezikuari jetë njerëzore. “Autoritetet bjelloruse duhet të kuptojnë se presioni ndaj Bashkimit Evropian nëpërmjet një instrumentalizimi cinik të emigrantëve nuk do t’i ndihmojë të arrijnë qëllimet e tyre. Kam folur me kryeministrat e Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë për të shprehur solidaritetin tim dhe për të diskutuar me ta masat që BE-ja mund të ndërmarrë për të adresuar këtë krizë. U bëj thirrje vendeve anëtare që të miratojnë përfundimisht regjimin e sanksioneve të zgjeruara për autoritetet bjelloruse përgjegjëse për këtë sulm”, -thuhet në deklaratë.

Von der Leyen bën të ditur se KE-ja do të hetojë me OKB-në dhe shërbimet e saj të specializuara se si të parandalojë shfaqjen e një krize humanitare dhe të sigurojë që emigrantët të mund të kthehen të sigurt në vendin e tyre të origjinës, me mbështetjen e autoriteteve të tyre kombëtare. (Elona)