Polonia ka mbyllur kufirin me Bjellorusinë, pasi emigrantët nga ana bjelloruse kanë tentuar të kalojnë përtej gardhit me gjemba, duke përshkallëzuar krizën që ka alarmuar Bashkimin Evropian.

Zyrtarët polakë thanë se bëhet fjalë për mbyllje të pikës kufitare Bruzhi-Kuznica, afër së cilës emigrantët kanë ndërtuar kampe.

Qeveria e Polonisë ka publikuar disa pamje në “Twitter”, ku shihen njerëz që tentojnë të kalojnë gardhet.

Më shumë se 12.000 ushtarë janë vendosur në zonë.

Mediat e huaja raportojnë se Polonia ka paralajmëruar për një përshkallëzim të mundshëm të armatosur në kufirin e saj me Bjellorusinë, nga frika se fqinji i saj mund të përpiqet të provokojë një incident me qindra emigrantë që kërkojnë të kalojnë në BE.

Bashkimi Evropian akuzon liderin bjellorus, Aleksandër Lukashenko, për orkestrimin e krizës së emigrantëve, në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të Brukselit zyrtar, akuza që janë mohuar nga Lukashenko. (Elona)