Rastet globale të Covid-19 tejkaluan 250 milionë të hënën pasi disa vende në Evropën Lindore po përjetojnë shpërthime rekord, edhe pse rritja e variantit Delta po lehtësohet dhe shumë vende po rifillojnë tregtinë dhe turizmin, shkruan “Reuters”.

Numri mesatar ditor i rasteve ka rënë me 36% gjatë tre muajve të fundit, por virusi ende po infekton 50 milionë njerëz çdo 90 ditë për shkak të variantit shumë të transmetueshëm Delta, vlerëson agjensia. Ndërkohë, u desh gati një vit për të regjistruar 50 milionë rastet e para të Covid-19.

Infeksionet janë ende në rritje në 55 nga 240 vende, me Rusinë, Ukrainën dhe Greqinë në ose afër niveleve rekord të rasteve të raportuara që nga fillimi i pandemisë dy vjet më parë, sipas një analize të “Reuters”.

Evropa Lindore ka ndër normat më të ulëta të vaksinimit. Më shumë se gjysma e të gjitha infeksioneve të reja të raportuara në mbarë botën ishin nga vendet në Evropë, me një milion infeksione të reja rreth çdo katër ditë.

Disa liderë botërorë kanë theksuar nevojën për të përmirësuar programet e vaksinimit në mbarë botën, veçanërisht në vendet më pak të pasura.

Më shumë se gjysma e popullsisë së botës nuk ka marrë ende një dozë të vetme të një vaksine Covid-19, sipas “Our World in Data”, një shifër që bie në më pak se 5% në vendet me të ardhura të ulëta.

Përmirësimi i aksesit të vaksinave do të jetë në axhendën e takimeve të grupit të fuqishëm tregtar Azi-Paqësor APEC, të organizuar praktikisht nga Zelanda e Re këtë javë.

Anëtarët e APEC, të cilët përfshijnë Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara, u zotuan në një takim të posaçëm në qershor për të zgjeruar ndarjen dhe prodhimin e vaksinave Covid-19 dhe heqjen e barrierave tregtare për ilaçet.

OBSH-ja u bëri thirrje udhëheqësve të 20 ekonomive më të mëdha të botës për të financuar një plan prej 23.4 miliardë dollarësh për të sjellë vaksina, teste dhe ilaçe për Covid-19 në vendet më të varfra në 12 muajt e ardhshëm. (Fatosi)