Foto:VCG

Foto:VCG

Çmimet globale të ushqimeve kanë arritur nivelin më të lartë në më shumë se një dekadë, pasi janë rritur për më shumë se 30 për qind gjatë vitit të kaluar, njoftoi Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO).

Sipas saj, në rritjen e çmimeve kanë kontribuar: ndërprerjet e furnizimeve, mbyllja e fabrikave dhe tensionet politike. FAO bëri të ditur se çmimet e drithërave janë rritur për më shumë se 22 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Çmimi i grurit ishte një nga kontribuuesit kryesorë në këtë situatë, pasi u rrit 40 për qind në 12 muajt e fundit. Sipas FAO-s, kjo ka ndodhur pasi eksportuesit kryesorë, Kanadaja, Rusia dhe SHBA-ja, kanë pasur korrje të dobëta.

“Kemi pasur vite mjaft të këqija të korrjeve në shumë vende”, -tha për “BBC”-në Peter Batt, ekspert i agrobiznesit në shkollën “Curtin Business” në Perth të Australisë.

FAO bëri të ditur se çmimi i vajit bimor u ngrit nga rritja e kostos së vajrave të palmës, sojës, lulediellit dhe farave. (Irma)