Presidenti Joe Biden do të zbatojë një mandat federal që punonjësit në kompanitë amerikane me të paktën 100 punonjës të vaksinohen kundër Covid-19 ose të testohen çdo javë duke filluar nga 4 janari, një afat për bizneset që përballen me mungesë të fuqisë punëtore gjatë sezonit të festave, thanë zyrtarët amerikanë, citon “CNN”.

Kërkesa e vaksinimit për kontraktorët federalë është shtyrë një muaj deri në 4 janar, shtuan zyrtarët, ndërsa punonjësit në objektet e kujdesit shëndetësor dhe shtëpitë e të moshuarve që marrin pjesë në programet e kujdesit shëndetësor të qeverisë “Medicare” dhe “Medicaid” do të duhet të vaksinohet deri në të njëjtën datë.

Rregullorja e re zbatohet për bizneset që kanë 100 ose më shumë punonjës, sipas Administratës së Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (OSHA) pranë Departamentit të Punës.

Punonjësit që nuk kanë vaksinë, kërkohet të mbajnë maska duke filluar nga 5 dhjetori dhe të ofrojnë test javor negativ për COVID-19 pas afatit të 4 janarit.

Kompanitë mund të ofrojnë lirim me pagesë nga puna për punonjësit që të vaksinohen deri më 5 dhjetor dhe të paguajnë pushim mjekësor për punëtorët për t'u rikuperuar nga çdo efekt anësor i mundshëm.

Punonjësit që rezultojnë pozitivë do të ndalohen të shkojnë në punë.

Ndërsa afati për kërkesa të ngjashme për kontraktorët federalë është zgjatur deri më 4 janar, rregullat e tyre nuk përfshijnë një opsion testimi të rregullt për Covid-19.

Rregulloret e reja lejojnë kontraktorët të përcaktojnë se si do të zbatojnë kërkesat shëndetësore për punëtorët që refuzojnë të vaksinohen.

Rregulloret e reja përfshijnë rreth 84 milionë punëtorë në sektorin privat të SHBA-së. (Irma)